JOQ Albania
Home

Tirana vazhdon të përpihet nga kullat
Shkruar nga: A Naçi | Publikuar më: 09/03/2019 15:43

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

“Atje poshtë dallohet një kantier ndërtimi”, me këtë fjali përshkruhej Tirana, kryeqyteti i vendit tonë në mediat austriake një vit më parë.

E sot një vit më pas Tirana është kthyer në një kantier ndërtimi, në kuptimin e plotë të fjalës. Më pak hapësira të blerta do të ketë sepse do t’u lihet vendi kullave të larta. Madje për t’i lënë vend ndërtimit të një të tille u shkatërrua edhe një park lojërash për fëmijë.

Një sërë projektesh janë për ndërtim në kryeqytetin e vendit tonë, të cilat do të jenë kulla të larta dhe në katet e para të tyret pritet të ndërtohen qendra tregtare.

Projektet priten të zhvillohen si komplekse zyrash dhe ndërtesash për banim.

Më poshtë po ju sjellim projektet që kanë nisur të ndërtohen dhe ato që pritet të ndërtohen shumë shpejt.

Së pari po listojmë “MET Building Tirana”, i cili është projekti për ndërtimin e një ndërtese komerciale dhe rezidenciale në zemër të Tiranës. Projekti i MET Building Tirana do të jetë m’u në zemër të Tiranës. Ajo do të jetë një kullë 12-katëshe.

Së dyti po listojmë projektin “Book Building Tirana”. Projekti parashikon ndërtimin e tre objekteve me lartësi 3, 4, 10 dhe 20 kate, me një sipërfaqe mbi 40 mijë metra katrorë të cilat do të jenë midis rrugës 28 Nëntori dhe rrugës “Abdi Toptani”, me subjekt zhvillues Techno-Alb sh.p.k.

Së treti në këtë listë po sjellim “Eyes of Tirana”, e cila do të ketë 26 kate. Punimet për ndërtimin e saj pritet të nisin këtë vit.

Së katërti po ju listojmë “Tirana Forever Green”, projekt i cili para disa kohësh u pezullua, por ato kanë nisur sërish. Do të jetë e lartë 20 kate dhe  afërsi të qendrës së Tiranës përballë Kishës Ortodokse.

Së pesti po sjellim “Down Town Albania”, për të cilën u shkatërrua një park lojërash, i njohur si “7 xhuxhat”. Ky park u shkatërrua pikërisht për “Down Town Albania”, e cila  do të jetë një kullë me 40 kate. Punimet për të kanë nisur.

Së gjashti po listojmë atë që njihet si projekti “Vaqari”. Dy kulla nga 20 kate do të ndërtohen në mes të rrugës “Jordan Misja”.

Së shtati po listojmë “Greenside out”, që është projektuar si një  kompleks i ri me banesa, dyqane dhe zyra luksoze është projektuar të ndërtohet në Rrugën e Durrësit. Sipas të dhënave të projektit, objekti do të shtrihet në një sipërfaqe 9600 metra katrorë, me 4 godina të ndërlidhura, ku 3000 metra do të përdoren për parking.

Së teti po listojmë “Kubi i Bllokut”, themelet për këtë ndërtesë janë hapur. Projekti i saj është bërë nga arkitekti italian Boeri.

Së nënti po listojmë “Kulla pyll 21”, e cila do të ketë 21 kate dhe do të ndodhet në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”.

Së dhjeti po listojmë “Kulla te stadiumi”,  e cila do të ndërtohet tek Arena Kombëtare dhe do të jetë 24 kate mbi tokë.

Në vend të 11 po listojmë “Tirana’s Rock”, e cila do të jetë në krah të Hotel Tiranës, kjo kullë do të jetë e lartë  25 kate.

Në vend të 12 po listojmë “Kulla Pyll”  që do të ndërtohet në  Rrugën e Kavajës aty ku më parë ishte vendosur godina e Muzeut të Shkencave të Natyrës do të ndërtohet një kullë 24-katëshe, në formën e një pylli vertikal.

E si përfundim ngrihet pyetja se mos po betonizohet më shumë seç duhet Tirana sepse dhe në këto kushte dhe qielli do jetë vështirë për t’u parë?!

Komentet ju takojnë juve tani.