JOQ Albania
Home

SHBA-ja shpreh përkrahjen për KFOR-in dhe praninë e trupave në kampin Bondsteel
Shkruar nga: E Gjoni | Publikuar më: 01/03/2019 16:38

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur përkrahjen për praninë e trupave të tyre në kampin e Bondsteel-it. Komunikata e dërguar për media, sapo ka hedhur poshtë zërat se SHBA-ja ka kërcënuar se nëse nuk tërhiqet taksa ndaj Serbisë, do të bëjnë largimin e kampit të Bondsteel-it nga Kosova.

Përmes një komunikate për media dërguar nga Ambasada Amerikane në Kosovë thuhet se SHBA-ja mban përkrahjen për KFOR-in dhe praninë e trupave të SHBA-së në kampin e Bondsteel-it.

Në Kosovë që nga e mërkura kanë qëndruar dy zyrtarë të lartë të administratës së Donald Trump-it, të cilët kanë zhvilluar takime me kryeministrin Ramush Haradinaj e presidentin Thaçi, ku kanë diskutuar rreth vazhdimit të dialogut në Bruksel dhe për çështjen e taksës.

Pas këtyre takimeve në mënyrë jozyrtare është thënë që dy përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë kanë paralajmëruar mundësinë e tërheqjes nga Bondsteel-i nëse Kosova vazhdon të jetë e padëgjueshme karshi Amerikës.

Për një gjë të tillë, edhe pas takimit të amerikanëve me ekipin negociator, ku ishte edhe Shpend Ahmeti, ky i fundit ka konfirmuar se amerikanët kanë paralajmëruar mundësinë e tërheqjes së trupave nga Kosova.

Por, në komunikatën e dërguar sot për media, Ambasada amerikane ka thënë se politikat e SHBA-së ende është që të përkrahë KFOR-in dhe praninë e trupave të tyre në Kampin e Bondsteel-it.

Në komunikatë citohet:

Politika e Shteteve të Bashkuara ende është që të përkrahë KFOR-in dhe praninë e trupave të SHBA-ve në Kampin Bondsteel që ruan një ambient të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. Sikurse edhe gjetiu nëpër botë kjo dhe vendosjet tjera të trupave të SHBA-ve i nënshtrohen shqyrtimit të rregullt.”