JOQ Albania
Home

Qytetarët në hall, shkon në stratosferë çmimi i perimeve
Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 11/02/2019 11:07

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Muaji janar ka qenë muaji ku çmimi i perimeve dhe zarzavateve arriti kulmin. Ekspertët shpjegojnë se kjo rritje çmimesh erdhi si pasojë e goditjeve të brendshme nga oferta, pasi prodhimi vendas këtë sezon ishte mjaft i kufizuar.

Sipas INSTAT, çmimet në grupin “zarzavate, përshi patatet” u rriten me 36.6 për qind.

Ky ishte niveli më i lartë i shënuar që nga maji i vitit 2010.

Ndryshe nga herët e tjera ku prodhimet bujqësore në vend diktoheshin nga kushtet atmosferike, përmbytjet ose ngricat, këtë vit shkak u bë reduktimi i prodhimit nga fermat.Ekspertë të bujqësisë në qarkun e Korçës pohuan se sipërfaqja e mbjellë me qepë dhe patate këtë vit ishte 10 herë me e vogël. Prodhimi u reduktua për shkak të humbjeve të mëdha që fermerët pësuan në vitin 2017, ku prej superprodhimit çmimet ranë në kosto, teksa një pjesë e madhe  prodhimeve u kalbën në fushë.

Ndër vite çmimet e perimeve dhe frutave janë rritur me ritme më  të larta se grupet kryesore të shportës së mallrave të konsumit që INSTAT i referohet për matjen e inflacionit. Kjo për arsye se prodhimet shqiptare nuk plotësojnë nevojat e brendshme dhe shpesh importet e këtyre prodhimeve hyjnë në tregun shqiptar më kosto shtesë.

Fermerët janë të shqetësuar se nuk po orientohen që të prodhojnë sipas nevojave të tregut, teksa këtë vit fermerët e pemishteve sidomos, agrume dhe mollë u ndeshën me superprodhim.

Kjo gjendje ka sjellë humbje të mëdha, teksa fermerët e Konispolit lanë tonelata me portokalle dhe manderinë të kalben poshtë pemëve. Në një situatë të ngjashme janë edhe fermerët e mollëve ne Korçë.

Inflacioni në muajin janar arriti në 1.9 për qind, duke qenë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%, shkruan Monitor. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1.7%. Rritja e përgjithshme e çmimeve në janar u dominua në më shumë se 90 për qind nga rritja e çmimit të ushqimeve.

Shqipëria nuk ka projeksione dhe studime ne lidhje me pritshmëritë e ecurisë së konsumit në tregun vendas për disa artikuj bujqësore. Vendet të zhvilluara të Europës u japin fermerëve të dhëna të sakta mbi ecurinë e konsumit dhe sasive te prodhuara për periudha mbi 10 vite.

Ndërsa Shqipëria vuan edhe nga një handikap tjetër ku lejohen importe të prodhimeve bujqësore në kulmin e sezonit në Shqipëri. Teksa mollët dhe manderinat shqiptare po kalben në fusha, njësitë e shitjes me pakicë janë të mbushura me mallra importi, molle dhe portokalle që vijnë nga Greqia dhe Italia.