JOQ Albania
Home

Të ftuarit ishin brenda duke drekuar, orteku futet mes për mes hotelit në Zvicër
Shkruar nga: E Prifti | Publikuar më: 11/01/2019 22:41

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Të paktën 20 persona kanë humbur jetën si pasojë e motit të keq në Evropë. Dy viktimat më të fundit janë regjistruar në Bullgari të premten.

Bëhet fjalë për dy persona që kishin dalë me “snowboard” duke rrëshqitur dhe i zuri një ortek.

Kurse në një hotel në alpet zvicerane janë lënduar rëndë tre persona të cilët i zuri orteku që u fut mes për mes në një restorant. Rreth 25 automjete të parkuara jashtë u mbuluan nga bora.

Ndërsa në vendin tonë humbi jetën një elektricist i cili pësoi sulm në zemër ndërkohë që riparonte linjat e furnizimit të dëmtuara nga dëbora.

Më herët gjatë javës janë raportuar edhe 17 jetë të tjera njerëzish që janë marrë si pasojë e të ftohtit që ka goditur Evropën.

Paralajmërimet e ortekëve janë vendosur në nivele kritike në pjesën më të madhe të Evropës pas dëborës së madhe që ka shkaktuar alarm të kuq, pasi parashikuesit e motit paralajmërojnë se dëbora do të vazhdojë në mes të javës së ardhshme.

Nga ana tjetër, Gjermania ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në pjesën më të madhe jugore të vendit ndërkohë që forcat e ushtrisë janë vënë në dispozicion për të ndihmuar njerëzit e bllokuar. JOQ Albania