Në zonat tropikale vazhdon ai që njihet si sezoni i uraganeve duke sjellë një numër stuhish të forta.
I radhës është uragani Michael, një stuhi e kategorisë katër, me erëra që shkojnë deri në 250 kilometra në orë. Ky uragan zbarkoi ditën e sotme në rajonin Penhendwll, Florida në Shtetet e Bashkuara.
Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve, stuhia preku tokën pranë plazhit Meksiko, ndërkohë që qindra-mijëra njerëz janë urdhëruar të evakuohen.
Guvernatori i Floridës, Rick Scott, paralajmëroi për shkatërrim të paimagjinueshëm, duke shtuar se stuhia do të jetë më e keqja në 100 vjet.
Deri më tani, të paktën 13 njerëz kanë gjetur vdekjen në Amerikën Qendrore gjatë fundjavës si pasojë e shirave të furishëm dhe përmbytjeve.
Uragani Michael pritet të lëvizë shpejt drejt Bregut Lindor të SHBA-ve, duke lëshuar shira në rajone që akoma nuk e kanë marrë veten nga shkatërrimi i uraganit Florence, muajin e kaluar.