Jeta Osh Qef
Home

Unë jam me kriminelët!
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 09/09/2018 13:04

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Nga Klodi Hoxha

Unë jam me kriminelët!

Aktualiteti në Shqipëri është mbytur në kronika të zeza nga ngjarjet kriminale dhe arti nuk prodhon më lajm. Lajmi i fundit nga arti madje ka qenë shembja e godinës së Teatrit Kombëtar, ku protestuesit në mbrojtje të tij u quajtën shpesh huliganë, ndërsa artistët që përqafuan peticionin e Bashkisë për shembjen e tij u quajtën negociatorë dhe largpamës.

Para se të shpjegoj se pse jam me kriminelët, dua të ndalem tek drama e shoqërisë tonë. Nuk dola asnjëherë në protestën për teatrin për arsyen e thjeshtë: Ne nuk kemi artistë!
Artistë në kuptimin e të qënit avangardë e shoqërisë, por jo ne kemi vetëm kameleonë që ngjyrën e marrin vetëm nga roli i caktuar dhe paraja e ofruar. Lloji i këtyre artistëve kurrë nuk është ngritur për një kauzë shoqërore, vetëm kur u erdhi veza tek b*tha u ngritën, për t’u rrëzuar shumë shpejt nga kompromiset me politikën. E sërish nuk u zhgënjeva, zhgënjimi ka kohë që është bërë normal dhe s’më bën pikën e përshtypjes.

Unë jam me kriminelët!

Mendoj se jemi gabim nëse mendojmë që Shqipëria qeveriset nga Edi Rama apo nëse është qeverisur nga Sali Berisha më përpara. Shteti ynë është i kapur nga të fortit e lekut, ata që nuk shihen por i bëjnë ligjet. Por, kjo nuk ia heq përgjegjësinë shtetit edhe pse është kapur prej fytit nga emra që mbiemrin e kanë të stampuar në firma e kompani të mëdha.

Kur kam qenë në 9-vjeçare jam ndeshur për herë të parë me figurën e Pablo Escobar në një serial që për mua vazhdon të jetë më i arriri, i cili asokohe jepej me përkthim shqip në një stacion të Digitalb. Në shtëpinë time, këtë serial e ndiqnim vetëm unë dhe vëllai i vogël që si për dreq përkonte me lajmet e darkës dhe duhej t’i luteshim babait që ta shikonim ose të rrinim të ngrysur në cepin e dhomës. Babai preferonte të ndiqte lajmet, por shumë shpejt kam arritur të kuptoj (po përmes Pablos) që televizioni është mashtrimi më i madh, ai i kishte zët median.

Tashmë më shumë se pas 10 vitesh i jam rikthyer sërish serialit “Pablo Escobar”, i cili njihet (gabimisht) gjerësisht si krimineli më i madh që arriti të luftonte hapur shtetin dhe strukturat e tij.

Në fillimet e tij, kur sëbashku me kushëririn Pablo vodhi një bankë sepse s’kishte kacidhe në xhep dhe i duhej të dilte me vajzën e ëndrrave, ai u tha qytetarëve që ndodheshin në bankë:

Qetësohuni! Nuk kemi ndërmend të lëndojmë qytetarët, por thjesht do marrim paratë që këta na vjedhin përditë!”

Ai nuk ishte kriminel, nuk ishte i droguar dhe as nuk ishte vrasës, por të luftosh kundër pabarazisë shoqërore je drejtpërdrejt kriminel! Ky është perceptimi i gabuar që na shoqëron prej kohësh, ndërsa këtu në Shqipëri na quajnë vandalë më së shumti.

Varfëria e justifikon vjedhjen, ligj i pashkruar. Kur dikush vjedh një bankë, një pikë këmbimi apo një dyqan ai quhet kriminel, madje mediat e vënë në ballinë “U kap krimineli”, dhe bash me këtë kriminel unë jam.

Kur dikush kapet duke shitur qese hashashi, ai quhet kriminel, e unë bash me këtë kriminel jam.

Kur dikush kapet sepse mbillte hashash, punonte në ara hashashi ose i ruante ato, ai quhet kriminel, e prapë jam me këtë kriminel.

Kur vdes ndonjë i ri nga mbidoza, ai quhet drogaxhi, “u bë b*tha e tij të pijë drogë”, ai ishte kriminel, unë jam sërish me këtë lloj krimineli.

Para se t’i quajmë kriminelë harrojmë diçka thelbësore, që kriminelë i bëri shoqëria, i bënë kushtet ku na kanë mbyllur politikat qeverisëse ndër vite. I bëmë ne që nuk protestojmë të gjithë sëbashku, por i lejojmë të quajnë kriminel e vandal të parin që ngre krye.

I keni parë djemtë shqiptarë kur kapen në Britani, Spanjë e Itali? I quajnë kriminelë edhe atje, sepse janë zënë me hashash. Po, edhe me këta kriminelë jam!

Jam me kriminelët, sepse këta nuk janë kriminelë!

Kriminelë janë pikërisht surretërit që shohim nëpër ekranet televizive duke u shtirur sikur janë nëna e ligjit dhe e vënies së drejtësisë! Janë këta që i bënë copash ëndrrat dhe jetën e bashkëmoshatarëve të mi, që ju i quani kriminelë.

Madje, në asamblenë e fundit të Partisë Socialist, kryeministri Rama, shkoi më tutje, kur tha:

Këta që vrasin dhe vjedhin nuk janë kriminelë, janë më keq. Janë disa rrugeçër të shpifur që do u vijë fundi shumë shpejt.”

Harron KM që ua vuri vetë këtë barrë mbi supe, duke i bërë të varfrit edhe më të varfër që të vetmen mundësi mbijetese kanë ose të rrojnë këtu duke u strapacuar sa në burgje e sa në baçe, ose të mësyjnë jashtë shtetit.

Kriminelë janë këta që ulën buxhetin e arsimit, këta që rritën tarifat e studimeve, janë këta pronarë mediash që reklamojnë vetëm të pasur, janë këta palo artistësh dhe blogeresh që mbushën rrjetet sociale me marka, udhëtime dhe gjithçka tjetër të shtrenjtë.

Ky është shembulli që na servirni, por si të bëhemi si ju duke ndenjur të ndershëm?! Na e thoni pak ne “kriminelëve”, si ja bëni ju që vidhni e vrisni por nuk quheni kriminelë?!