Jeta Osh Qef
Home

Shoferi i kamionit denoncon kushtet në Hidrocentralin e Moglicës
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 06/09/2018 13:28

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Në fillim të vitit 2013 është nënshkruar kontrata për ndërtimin e Kaskadës së Devollit, punë e cila po kryhet nga kompania norvegjeze "Statkraft AS" si investitori kryesor, ndërsa "Limak" dhe "Cinar-San" (turke) janë firma kotraktore.

Në këtë kaskadë parashikohet të jenë 362 hidrocentrale gjithsej, ku ndër hidrocentralet më të rëndësishme do të jenë ato të Banjës e cila do të zë sipërfaqe prej 14 km2 dhe prodhim mbi 65MW, Hidrocentrali i Moglicës do të ndërtohet në rrethin e Korçës dhe do të prodhojë energji me 2 turbina Frencis me kapacitet total 40 MW dhe Hidrocentrali në Kokël që do të përfshijë kanionin e ngushtë mes Luginës së Devollit dhe Fushës së Kodovajtit.

Në kohën kur është nënshkruar kontrata, parashikohej që ky projekt të përfundonte në vitin 2017, por si në çdo nismë tjetër në Shqipëri, edhe kjo është e destinuar të zgjatet në kohë.

Të ndalemi pak në hidrocentralin e Moglicës, ku deri më tani kompania "Statkraft AS" ka investuar 150 milionë euro, thuajse gjysmën e investimit por forma përfundimtare duket ende larg edhe pse ministri Gjiknuri dhe kryeministri Rama janë shprehur se në vitin 2019-të ky hidrocentral do të fillojë prodhimin e energjisë.

Pse po vonojnë kaq shumë punimet në Moglicë? A mos janë shkak kushtet e këqija në të cilat punohet?!

Këtë nuk mund ta themi ne me siguri, por punëtorët në Hidrocentralin e Moglicës mund ta dinë më mirë këtë.

Një qytetar që punon shofer kamioni në hidrocentralin e Moglicës ka shkruar për JOQ.al, duke denoncuar rreziqet që kanosen nga kushtet e vështira në të cilat punohet në këtë kantier.

E këtë priremi ta besojmë duke u mbështetur në faktin se së fundmi në prill të këtij viti, një inspektor i hidrocentralit të Moglicës ka humbur jetën gjatë një aksidentimi në punë, teksa ka rrëshqitur një masiv shkëmbor. Viktimë nga ky incident ka qenë Leonard Çela, 45-vjeç. Por, ky nuk është i vetmi, pasi në këtë kantier, sipas denoncimit të qytetarit kanë humbur jetën plot 4 punëtorë shqiptarë.

Qytetari, shoferi i kamionit në këtë hidrocentral ka rrëfyer për JOQ.al:

Përshëndetje JOQ! Unë që po ju shkruaj punoj shofer kamioni në hidrocentralin e Moglicës, i cili po ndërtohet mbi lumin Devoll. Në fotot dhe videon që janë më poshtë duket qartë rreziku i madh që na kanoset çdo moment. Punohet 24 orë me 2 turne me rroga qesharake dhe kontrata individuale një apo tre mujore që nuk të sigurojnë asgjë. Kamionët janë katër-akse që do të thotë se ngarkesa normale që duhet të mbajnë është 18-20 metër kub, ndërsa këtu i ngarkojnë nga 25-28 metër kub në një terren shumë të vështirë dhe jashtë mase i rrezikshëm.
Unë kam rreth një vit që punoj këtu dhe deri tani janë botuar mbi 20 kamionë, shyqyr Zotit deri tani pa viktima por me dëmtime serioze ne disa raste.
Shkaku i këtyre aksidenteve është ngarkesa shumë e madhe dhe defektet teknike të mjeteve, ku më kryesoret janë frenat. Ofiçinat përkatëse të dy firmave turke që punojnë këtu nuk duan t’ja dinë fare se çfarë mund t’u ndodhe shoferëve.
Kamionët nuk kualidohen pasi janë me targa turke. Policia e shtetit nuk duket asnjëherë në këtë kantier pavarësisht se kamionët kalojnë në një pjesë që është rruga nacionale Gramsh-Korçë dhe rrezikohet edhe jeta e qytetarëve që janë përdorues të përditshëm të rrugës.”

E në fund, shoferi ka edhe një mesazh për kryeministrin Edi Rama:

Kryeministri jonë, madhëria e tij mburret në media me këtë kantier që sipas atij ka punësuar mijëra shqiptare dhe mirëpaguhen e trajtohen në mënyre europiane.
Përmes jush i them vetëm diçka: Që kur të vijë herën tjetër për vizitë në Moglice t’i pyesë fshatarët se si ndihen dhe sa kanë përfituar nga ky investim, t’i pyesë punëtorët e thjeshtë se si i trajtojnë turqit. T’i pyesë familjarët e 4 viktimave që kanë humbur jetën në këtë projekt dhe pastaj të thotë gjithë mburrje këto janë investimet që duam në Shqipërinë e rilindur.”

JOQ.al