Jeta Osh Qef

Gramshi, një përrallë e pazbuluar
Nga: A.Shehaj | Publikuar më: 03.12.2016, 15:48

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Një qytet i ri, por i ngritur mbi themele antike: I vendosur në tokat e fshatit Gramsh-Fshat, emri i të cilit përmendet që në shek.XV, Gramshi njihet si vendorigjina e luftëtarit të madh antifashist, Antonio Gramshi. Mirëpo, përpos vlerave historike, qyteti jugor gëzon dhe natyrën, atë natyrë që është njëkohësisht magjepsëse, por ende e paeksploruar.

Deri në vitet e fundit, pavarësisht pasurive të panumërta natyrore dhe klimës që e bën të favorshëm në çdo stinë, Gramshi nuk renditej si një nga destinacionet më të frekuentuara turistike. Shkak për këtë, ka qenë padyshim mungesa e infrastrukturës që e bëntë të vështirë depërtimin deri në grykat e maleve, liqenet e bukur malorë apo edhe pyjet masive.

Por, me ndërtimin e rrugës së re, tashmë qyteti, vetëm 1 orë e 30 min larg nga Tirana, është bërë një destinacion i preferuar për turizmin e aventurës apo për një fundjavë të shkëputur nga jeta kaotike e qytetit. Rreth 17 km nga Gramshi, gjendet kalaja e Irmanjit.

Në themelet e saj ruhen 2400 vite trashëgimi, ndërsa pozicioni i favorshëm përballë Malit Tomorr jep një pamje të jashtëzakonshme të Gramshit, një pjesë të Lushnjës, Beratit e deri në det. Perfekte për një piknik apo festë familjare!

Nuk mungojnë as kanionet, për aktivitete me shumë adrenalinë. I tillë është kanioni i Holtës që ndodhet në verilindje të Gramshit pranë fshatit Kabash e Bardhaj dhe që ofron shpate e shpella karstike për ata që preferojnë aventurën.

Nëse do ecni 40 minuta në këmbë nga Kanioni, do gjeni shpellën e Kabashit, e krijuar nga shkëmbinjtë gëlqerorë me dukuri të shumta karstike, stalaktite e stalagmite me bukuri të rrallë.

Pasuri të tjera natyrore që gëzon Gramshi janë dhe ato ujore e të kristalta, të qeta të liqeneve apo me ritëm si uji i ujëvarave. Në verilindje të Tomorit, gjendet ujëvara e Sotirës. Uji i kristaltë rrjedh nga një lartësi maksimale prej 20 metrash për të depërtuar më pas në mes të pyjeve e pemëve të lisit duke ofruar një pamje piktoreske.

Ndërsa 4 km në jug-lindje të fshatit Lenie, ndodhet një tjetër pasuri ujore. Bëhet fjalë për Liqenin e Zi, një liqen me origjinë akullnajore dhe ngjyrë blu të thellë, që ka një imazh pasqyror nëse e sheh nga larg. Vlerat e tij shtohen akoma dhe më shumë 300 metra më larg, ku ndodhet burimi me veti kurative dhe ku në datat 1 -15 gusht, njerëzit bëjnë banjo për t’u kuruar nga sëmundjet e reumatizmës.

Edhe Liqeni i Dushkut përbën një bukuri të rrallë. Ai rrethohet nga pyje të lartë, objekte historike si dhe mbulohet nga një shtresë zambakësh që i jep ngjyra të pafundme në çdo stinë.

Në Gramsh gjeni dhe Grabovën, gjeni dhe ushqimin tradicional, kulturën vendase, njerëzit e butë dhe të ngrohtë të qytetit, por më së shumti në Gramsh gjeni Shqipërinë e pazbuluar. Atë pjesë të vendit tonë që përcjell më të mirën e asaj që i ka mbijetuar kohës dhe që premton të na japë akoma dhe më shumë në të ardhmen./Anabel