Jeta Osh Qef
Home

Çudira shqiptare/ Biznesi del në protestë kundër biznesit
Nga: M.Gjini | Publikuar më: 12.10.2017, 21:34

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Të shumta kanë qenë diskutimet ditët e fundit rreth idesë se edhe subjektet e vogla duhet të përfshihen në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar apo e njohur më thjeshtë si TVSH. Shumë mendime janë pro dhe shumë të tjera janë kundër, kjo edhe në varësi të grupit të interesit që gjithsecili përfaqëson.

Personat që shprehen kundër kësaj nisme argumentojnë se kjo do të sjellë rritje të kostove administrative, që e thënë me fjalë të thjeshta tashmë këta biznesmenë të vegjël do të duhet të punësojnë një studio kontabiliteti për të menaxhuar deklarimet e tyre, që si pasojë do të sjellë në fund të ditës më pak para në xhepat e drejtuesëve të këtyre bizneseve.

Teorikisht aplikimi i TVSH-së nuk do të sillte rritje kostosh nëse të gjitha bizneset e vogla do të ishin 100% të rregullta, por ky nuk është rasti i Shqipërisë, pasi një pjesë e mirë e tyre dhe jo vetëm notojnë në detin e informalitetit. Nga ana tjetër i vetmi person që në fund realisht “do ta hajë” do të jetë qytetari i thjeshtë pasi aplikimi i TVSH-së do të transferohet në çmimin e produktit.

Nga ana tjetër grupi në favor të aplikimit të kësaj ideje shprehet se kjo është një masë e nevojshmë pasi shpesh herë biznesi i madh ballafaqohet me faktin se kur i shet biznesit të vogël, ata nuk ua pranojnë faturën, duke sjellë në këtë mënyrë një problem me situatën reale të gjendjes së mallit me atë të deklaruar me letra për bizneset e mëdha të cilat të detyruara nga rrethanat ua shesin pa faturë mallin bizneseve të vogla. Bizneset e mëdha gjithnjë e kanë kërkuar dhe mbështetur futjen e subjekteve të vogla në TVSH, si një mjet për të nxitur faturimin në të gjithë zinxhirin e tregtimit dhe shërbimeve.

Por një ngjarje mjaft e çuditshme ka ndodhur pasditen e sotme ku shumë qytetarë, përfaqësues të biznesit të madh kanë dalë në një marshim në bulevardin e kryeqytetit me tullumbace ku shkruhej “Jo informalitetit në biznes”.

Sipas “Monitor”, marshimi është organizuar nga “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë”, në kuadër të ditës “Për një ekonomi më të drejtë”, që sipas organizatorëve synon të sensibilizojë opinionin e gjerë publik ndaj efekteve negative të fenomenit të Informalitetit, dhe nevojës për të luftuar bashkërisht çdo formë të tij e kudogjendur në ekonominë Shqiptare.

Pavarësisht mendimit dhe lirisë së shprehjes së opinionit, ky marshim duket si i sajuar dhe i organizuar nga mbështetësit e qeverisë si dhe klanet pranë saj për të dhënë idenë se aplikimi i TVSH-së edhe për këtë kategori biznesesh është diçka e drejtë dhe nuk asgjë të keqe.

Por në fakt siç thamë më lart, përveç shtesës së kostove administrative dhe rritjen e çmimit tek konsumatori final, ky aplikim mund të sjellë dhe kosto sociale të mëdha ku shumë biznese të vogla mund të mos e përballojnë dot konkurrencën shpesh herë edhe të pandershme dhe mund të detyrohen të mbyllin qepenat. Sipas të dhënave të INSTAT ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri angazhojnë 81,3 % të totalit te të punësuarve, çka tregon se në rast problemesh financiare të bizneseve të vogla, shumë njerëz mund të rrezikojnë punën duke shtuar shumë kostot sociale në vend./JOQ.al