Jeta Osh Qef
Home

Shkatërrohet kanioni i Llëngës në Pogradec
Nga: A.Shehaj | Publikuar më: 09.10.2017, 19:28

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Pas nisjes së shkatërrimit të grykës së Këlcyrës dhe pas shkatërrimit që iu bë luginës së Valbonës, duket se radha i ka ardhur një tjetër bukurie natyrore, për të cilën thuajse askush nuk flet.

E kemi fjalën për kanionin e Llëngës në Pogradec, një kanion i mrekullueshëm, me bukuri e pasuri natyrore, i cili është drejt shkatërrimit për shkak të ndërtimit të tre hidrocentraleve. Bazuar në denoncimet e mbërritura pranë JOQ.al, kjo bukuri natyrore po vjen duke u venitur edhe pse është një zonë e mbrojtur.

Bazuar në një vendim të qeverisë të vitit 2002, kanioni i Llëngës është shpallur zonë e mbrojtur, edhe për shkak se në atë zonë kalojnë gjurmë të rrugës së vjetër Egnantia.

Mirëpo, siç mund ta shikoni edhe nga pamjet e mëposhtme, shkatërrimi në kurriz të ndërtimit të hidrocentraleve, ka bërë që të fshihen edhe pjesë të gjurmëve të kësaj rruge të lashtë. Tashmë ferra e ka marrë uratën, por të gjithë heshtin.

Ndoshta nuk keni dëgjuar për fshatin e Llëngës dhe për kanionin që ndodhet në këtë zonë, por ky kanion njihet ndryshe edhe si "Gryka e gurit" dhe është e gjatë 1 km dhe 15 deri 20 e gjerë. Ajo përbën një bukuri të rrallë me shpate mali që bien thikë në një lartësi rreth 50-60 m mbi hullinë e kanionit.

Gjithashtu, një reliev të ngjashëm ka edhe një tjetër kanion më i vogël përsëri në afërsi të fshatit Llëngë. Së fundi përmëndim edhe se, në pyjet e malësisë së Llëngës gjenden arinj me lëkurë kafe.

Ndërkaq, në një majë dominuese mali, në veri të Llëngës ndodhet kisha dhe manastiri i Shën Marenës. Kisha është një godinë e vogël por brenda saj ka një ikonostas të bukur me motive floreale por edhe afreske të pikturuara prej Konstandin Shpatarakut.

E në fakt, me sa duket, kjo vetëm ka qenë pjesë e kanionit të Llëngës, pasi shumë shpejt, ky kanion do të pushojë së ekzistuari dhe do të ketë të njëjtin fat sikurse Valbona e Këlcyra.