Jeta Osh Qef
Home

Historia e tmerrshme e fshatit në Elbasan që u shfaros nga natyra
Nga: D.Cani | Publikuar më: 22.07.2017, 07:30

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Ekziston një fshat që pothuaj është fshirë nga harta prej disa vitesh. Fshati mban emrin Cerujë dhe bën pjesë në Njësinë Administrative Funar në Elbasan.

Fshati Cerujë ka një histori tragjike. Ai është rasti kur natyra shfaros qytetërim si në rastin e Atlantis, apo mbulohet me llavë si në rastin e Pompeit nga llava e vullkaneve në Itali. Ndërsa Ceruja ishte fshati që u përpi nga toka dhe u fundos në thellësi të saj.

Apokalipsi për Cerujën nisi disa vite më parë. Krejt papritur toka nisi të rrëshqasë dhe të fundoset duke përpirë shtëpitë dhe gjithçka kishte sipër saj. Banorët ishin me fat sepse gjithçka nisi ngadalë dhe ata mundën të largohen. Por mjaft bagëti u bënë kurban. Fillimisht një lagje, pastaj fatin e saj e pësoi një fshat i tërë. Ata patën fatin e keq të shohin se si shtëpitë e tyre i përpiu dheu.

Njerëzit në Cerujë mbetën në qiell të hapur. Familjet u ndihmuan me çadra veshmbathje dhe ushqime. Më pas aty ia behën specialist për të përcaktuar se cili ishte shkaku i fundosjes së tokës.

Studimet gjeologjike dolën në përfundimin se toka në këtë vend është e pabanueshme për shkak se korja e saj rrëshqet nga ujërat nëntokësore. Banorët u kompensuan dhe iu kërkua që të largohen nga ai vend. Por sërish mjaft prej tyre e kanë të vështirë të braktisin vendlindjen, edhe pse atje tashmë duket vetëm tokë e bardhë, transmeton infoelbasani.al.

Banori: Edhe herë tjetër natyra e ka shfarosur këtë fshat

Një nga banorët e zonës, Sefedin Dika, tregon se natyra e ka shfarosur edhe herë tjetër këtë fshat. “Gojëdhëna tregon se Cerunja ka qenë një zonë mjaft e populluar. Më të moçmit thonë se ajo zbriste deri poshtë në Elbasan. Jeta lulëzoi pse aty kalon përroi i Zaranikës dhe ka ujë ndërsa malet dhe kodrat përreth janë të begata për bujqësi e blektori. Mbiemrat tregojnë se banorët kanë ardhur nga vise të ndryshme.

Por shekuj më parë aty ra një sëmundje e cila e shfarosi si zonë. Shenjat e qytetërimit i has edhe sot. Në luginë gjen enë balte, qeramikë dhe shenja të tjera që tregojnë jetën e hershme në  këtë trevë.

Kjo është historia tragjike e Cerujës, fshatit që duket nuk dihet pse, natyra e ka pagëzuar me mallkim./infoelbasani