Jeta Osh Qef
Home

A duhet të votojmë sot?
Nga: S.Bardhi | Publikuar më: 25.06.2017, 08:33

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
ZGJEHDJ

Një analizë interesante vjen nga gazetari dhe analisti Armanda Shkullaku, i cili i bën një interpretim të votës në vetvete dhe të partive politike.

Në 27 vjet pluralizëm, shqiptarët nuk janë gjendur kurrë në një situatë si kjo e sotmja, ndërsa do t’u drejtohen kutive të votimit. Ata do të duhet të zgjedhin alternativën që besojnë se është më e mira për ta, në një kohë kur partitë që janë në garë edhe vetë kanë hequr dorë apo nuk kanë marrë mundimin të përpiqen të sajojnë një të tillë.

Në të gjitha zgjedhjet e mëparshme, partitë politike janë përpjekur të krijojnë programe solide, të ngrenë kauza, të frymëzojnë ide, të cilat shpesh ose kanë qenë propagandë ose janë lënë në mes të rrugës, por të paktën, në ballafaqimin zgjedhor, palët kanë luajtur rolin e tyre në teatrin e politikës. Këtë herë, ky është kulmi në demokracinë tonë parlamentare, palët në garë nuk morrën as mundimin për të bërë teatër. Me një pacipësi të pashoqe, ato gati u thanë shqiptarëve se ata nuk meritojnë as gënjeshtrat e tyre, se ata nuk kanë pse lodhen për të aktruar para tyre, se përsa kohë nuk kanë zgjedhje tjetër, veçse të votojnë ata, nuk meritojnë më shumë.

Rama, sikur të kishte zbritur sot në tokën shqiptare, u kërkoi shqiptarëve një shumicë absolute për të bërë shtet, pa marrë pikën e përgjegjësisë për dështimet dhe abuzimet spektakolare të qeverisë së tij. Madje kryeministri i mazhorancës së majtë, as nuk u lodh të hartojë ndonjë fabul elektorale apo ndonjë program premtimesh dhe doli nëpër Shqipëri duke kërkuar timonin e qeverisë për katër vitet e ardhshme, sikur katër vitet e shkuara ia kishte marrë dikush tjetër. Në vend të mesazheve për tokësorët, Edi Rama mori përsipër të komunikojë me botën e përtejme dhe të sillte prej andej kumtin se iluministët apo burrat e shquar të kombit shëiptar, nga Skënderbeu e deri te Lasgush Poradeci, i kishin përcjellë amanetin se shqiptarët duhet patjetër të votonin për të, të përzgjedhurin, të përndriturin, atë që do të sjelli diellin, dritën, shpëtimin. Kjo është hera e parë që një parti dhe një lider i bien kaq shkurt rrugës për të bindur votuesit. “Më votoni mua se kështu do iu thoshte dhe Fan Noli, më votoni mua se katër vjet më parë nuk më la Ilir Meta, më vishni mua me pushtet absolut që të mos e ndaj më me ata të tjerët”, kjo ishte fushata e Edi Ramës dhe me kaq ai pret që sot tokësorët t’i mbushin kutitë e votimit.  Ata nuk kanë nevojë për më shumë dhe nuk kanë pse mendojnë më shumë.

Pak a shumë e njëjta gjë edhe në kampin tjetër. Lulzim Basha po ashtu nuk e mori mundimin në fushatë të sajonte fabulën e tij për dështimin e revolucionit demokratik. T’u tregonte shqiptarëve se si u kalua nga s’ka zgjedhje me Edi Ramën në një bashkëqeverisje të mundshme me Edi Ramën. Ai mbajti për gati një muaj në fushatë slloganin e Republikës së Re, pa e vrarë mendjen se a kishte kuptim diçka e tillë pas marrëveshjes me Ramën dhe se çfarë mund të ndodhë nesër nëse PD futet në qeveri me socialistët. Pra njerëzit duhet të votojnë dhe kaq. Për ta sot nuk është e nevojshme as të luhet teatër.

Degradimi i sistemit tonë demokratik ka mbërritur sot pikërisht në këtë pikë, kur partitë nuk ndjejnë më as obligimin për të kryer ritualin e garës apo të ballafaqimit. Deri dje, ato premtonin ndryshimin dhe kur vinin në pushtet pillnin zhgënjimin. Tani zhgënjimin e kanë marrë për të mirëqenë dhe meqënëse se shqiptarët nuk kanë rrugë tjetër veçse të votojnë për ta, edhe ballafaqimin e kanë zhvlerësuar. Nuk ka më rëndësi as çfarë thonë e as çfarë bëjnë, njerëzit duhet të votojnë dhe kaq. Ajo që vjen më pas nuk është punë për ta, por është biznesi i tyre. Populli duhet të ulë kokën dhe të pranojë, pa patur nevojë as të shikojë menynë e gjellëve që do t’u servirin.

Kjo fushatë dhe këto zgjedhje do të mbahen mend në historinë e pluralizimit shqiptar si të parat kur dy partitë e mëdha, hoqën dorë edhe nga teatri demokratik i garës në emër të ndryshimit. Qeveria, e cila nuk mbajti asnjë premtim nga ato me të cilat erdhi në pushtet, kërkon një pushtet edhe më të madh, ndërsa opozita që premtoi përmbysje, sot synon një copë në pushtet.

Shqiptarët në këto zgjedhje nuk patën shansin as të besonin e as të shpresonin në ndonjë ndryshim, sado të zhgënjyer e të lodhur mjaft nga kjo lojë e tranzicionit tonë. Tashmë edhe lojën nuk e kanë më. Dhe është shumë e vështirë të kuptosh arsyen se përse duhet të dalin sot të votojnë.

X
Instalo aplikacionin JOQ.al
Instalo