Jeta Osh Qef
Home

Pamje me dron/ Dështimi spektakolar i qeverisë, për 4 vite nuk shtroi dot 600 m rrugë
Nga: S.Bardhi | Publikuar më: 16.06.2017, 17:52

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
“Unaza e Madhe” është prezantuar si një projekt ambizioz që do i vinte shumë në ndihmë trafikut të rënduar të Tiranës dhe pjesa më problematike është nga Fabrika e Miellit, mbikalimi, deri tek “Komuna e Parisit”, 640 metra rrugë. Ndërsa perimetri i gjithë projektit në total llogaritet në 22 kilometra, me një kosto financiare prej 400 milion dollarësh. Vlera 400 milionë dollarë nuk përshin vetëm shtrimin e rrugës por gjithë pjesët përbërëse të projektit në tërësi.

Deri më tani kanë përfunduara 100% vetëm dy lote të projektit nga 10 që përbërëse të “Unazës së Madhe”, këtu bën pjesë aksi rrugor nga rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja” deri te Fabrika e Miellit dhe loti i dytë është ai nga Komuna e Parisit tek rreth-rrotullimi i Lundrës, rrugë që nuk kanë komunikim me njëra tjetrën pasi ndërpriten nga dy lote në proces ndërtimi me gjatës 1.5 kilometra dhe 640 metra.

Punimet në këto segmente zvarriten prej vitit 2014, kohë kur duhet të kishin përfunduar dhe shkak për këtë janë bërë padyshim edhe konfliktet me 184 familje të cilat humbën shtëpitë nga zbatimi i projektit. Ajo çka morën dëmshpërblim këto familje ishte vetëm një bonos qeraje dy vjeçar nga shteti.

Megjithatë, pas protestave të familjeve u duk se gjithçka ishte në rrugën e mbarë, kur në fillimin e vitit 2016 kryetari i bashkisë, Erion Veliaj dhe ministri i transportit, Edmond Haxhinasto dolën në deklarata të forta duke premtuar se pjesët e unazës së madhe nga qendra Kristal (Komuna e Parisit) deri tek ish-shkolla Teknologjike, përfshirë këtu edhe mbikalimin e Fabrikës së Miellit do të ishin gati brenda vitit 2016.

Tani jemi në verën e vitit 2017 dhe ky segment shumë problematik për qarkullimin nuk ka mbaruar ende dhe me sa duket është ende larg. Askush nuk del ta thotë zyrtarisht se pse ky segment nuk po avancon dhe askush nuk e tregon arsyen se pse firma “Albavia” bashkëvepruese me “Salillarin” për këtë projekt ka braktisur segmentin prej 640 metrash duke ia kaluar kështu përgjegjësinë ARRSH-së (Autoriteti Rrugor Shqiptar).

Drejtori i ARRSH, Dashamir Xhika, e ka pranuar se shkaku i ngecjes së këtyre punimeve është mungesa e fondeve nga qeveria. Gjithashtu është shprehur se janë krijuar borxhe të reja që shteti shqiptar u detyrohet kompanive ndërtuese të cilat po përparojnë punimet me vetëfinancim.

Në deklarimet zyrtare të ARRSH, financimi i qeverisë për veprat madhore të vitit 2016 ka qenë 11 milion dollarë, por që prej kësaj vetëm një pjesë shkon për Unazën e Madhe, e cila kushton plot 400 milion dollarë. Llogariteni vetë se kur mund të mbarojë në total i gjithë ky projekt gjigant.

Ndoshta do kalojë viti 2030 dhe projekti nuk do jetë në përfundim ashtu siç është parashikuar fillimisht, megjithatë dështimi spektakolar mbetet pjesa prej 600 metrash nga Kodra e Dielllit deri tek Fabrika e Miellit, që për 4 vite rilindja nuk arriti të financonte përfundimin e saj. Nuk është çudi që gjatë kësaj fushate Rama as Veliaj nuk e kanë përmendur asnjëherë këtë projekt.

Me sa duket qytetarët e prekur nga ky segment duhet të mësohen me baltën, pluhurin, trafikun dhe gjithë kaosin e krijuar nga bllokimi i punimeve dhe zvarritja e tyre.