Jeta Osh Qef
Home

"S'di kush jam" e gjejnë në azil në Francë djali tregon tmerrin
Nga: A.Shehaj | Publikuar më: 21.05.2017, 19:55

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Rasti i një fëmije që është gjetur në një azil në Francë është paraqitur në redaksinë e JOQ.al. Bëhet fjalë për një djalë shqiptar, i cili ka humbur kujtesën dhe nuk arrin të mbajë mend as familjarët e tij, pasi është rrëmbyer dhe ka përfunduar në Europë. Ai nuk di të thotë me siguri se si quhet, por me vete ka një letër identifikimi.

Djali është gjetur nga disa shqiptarë, të cilët kanë dyshuar se bëhet fjalë për Marteo Bejaj, 15-vjeçarin nga Vlora që u zhduk në rrethana misterioze në vitin 2011 nga familja e tij. Rasti i Marteos u paraqit në shumë media, e madje edhe në emisionin "Njerëz të Humbur". Familjarët e kërkuan dhe e kërkojnë edhe sot e kësaj dite, por nuk kanë arritur kurrë ta gjejnë.

E kontaktuar nga JOQ.al, motra e Marteos, Fabjola, pasi u njoh me djalin në foto e në video si dhe pasi foli edhe me personat që kanë gjetur djaloshin në një azil në Francë, thotë me bindje se nuk është vëllai i saj.

Ngarkesa emocionale është kaq e madhe sa njeriu nuk arrin as të thotë me siguri nëse personi në foto është vëllai apo jo, por ky ngjan tmerrësisht shumë. E vetmja gjë që s'më bind është mosha dhe dialekti. Përfundimisht nuk është vëllai im. Ngjan vërtetë shumë, por nuk është ai. Personi me të cilin fola më dërgoi disa foto kur ka qenë i vogël dhe s'ka lidhje me vëllain tim. Fola dhe me mamin dhe i tregova fotot dhe videot. Ai nuk është vëllai im. Kam fol goxha dhe me dy djemtë. Ai djali ka moshë të vogël krahasuar me Marteon tim", - tregon Fabjola.

Ndërkaq, djemtë ngulmojnë të thonë se personi është Marteo Bejaj, pasi ai emocionohet e nis të kujtojë fragmente nga jeta e tij, kur i tregojnë video të motrës e mamasë, të cilat i gjejnë lehtësisht në internet. Me aq sa mban mend, ndër të tjera djali u ka treguar se e kanë rrëmbyer nga shtëpia një ditë të bukur, e kanë futur në makinë dhe e kanë dërguar në Shkodër, ku ka jetuar për disa kohë. Më pas e kanë çuar në Greqi, nga aty në Gjermani dhe nga Gjermania ka përfunduar në Francë, në një azil.

Në letërnjoftimin që djali i mitur mban me vete, është i shënuar emri Robert Preknicaj, datëlindja e vitit 2000. Nga një kontroll i bërë në rrjetet sociale, rezulton  një llogari e hapur me këtë emër dhe me foton e djalit, e cila ka qenë aktive deri në vitin 2014 dhe duke qenë se vetë djali pohon se ka 3-4 vite i humbur, gjërat përputhen, por nga ana tjetër, djemtë që kanë gjetur "Robertin" ngulmojnë të thonë se ai është Marteo, duke qenë se në bisedë e sipër kanë kuptuar nga shumë detaje që ai është rritur në jug të Shqipërisë dhe ndoshta i kanë ndryshuar dokumentat.

Djali pohon me gojën e tij se i kanë dhënë herë pas here ilaçe që ai të harrojë e të mos mbajë mend asnjë detaj nga jeta e tij.

Gjeni më poshtë një pjesë të rrëfimit që i riu ka bërë në videon dërguar pranë JOQ.al.

Ishte BMW i zi, me xhama të zinj. Hajde të bëjmë një xhiro. Ishin tre persona. Dy ndenjën mbrapa dy para. Kur më futën në mes, bllokuan dyert e makinës. Më kapën prej krahësh. Bërtita "Du me dal prej makine". Më çuan në Gjermani. Në gjermani më dorëzuan në një familje. Ajo familja më mbajti mirë, po nuk më pëlqente mua fare. Prej aty direkt hipa vetë trenave dhe prej andej erdha me trena. Kam qen në Nurenberg. Më çuan ata çunat aty, kurse atyre çunave u dhanë dhe lekë ajo familja. Nuk i mbaj mend ata çunat, vetëm njëri ishte me mjekër të gjatë, kurse tjetri... I kam pas pa në qytet ku kam pas jetu njëherë ata persona. Është një si punë fshati ku kam pas jetu. S'ja mbaj mend emrin o burr. E kam harru fare, krejt, krejt e kam harru se kam pas pirë një ilaç e nuk e di, se mu m hidhnin diçka në pije për të harruar."

Djemtë e pyesin dhe nëse i kujtohet ndonjë person i familjes së tij, e ai përgjigjet:

S'më kujtohen fare. Fare s'më kujtohen. Më përzihen krejt. I kam harru fare se 4 vjet ka... Mbaj pak mend një plakë, atë e mbaj mend se më ka mbajt një plakë me një rrobë në krye (kokë). I fola asaj plakës "ç'a bone, si kalove", pastaj ka ndodh rasti", - tregon djali

Ne nuk dimë të themi se kush është ky person, nëse quhet Robert apo Marteo, por nëse dikush e njeh atë apo familjarët e tij, nëse shteti ka dijeni apo denoncim për këtë fëmijë, të reagojë sa më parë, pasi gjendja e tij emocionale dhe mendore është e rënduar./JOQ.al/

Publicitet Elektoral
Publicitet Elektoral
Publicitet Elektoral