Jeta Osh Qef

I pastrehu Avni, qytetari më i mirë i këtij shteti
Nga: A.Shehaj | Publikuar më: 31.01.2017, 16:54

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Ai quhet Avni dhe fytyra e tij tregon se i ka disa vite mbi shpinë. Askush nuk ia di mbiemrin, as moshën e saktë e as historinë, por është bërë pjesë e pandashme e qytetit të Elbasanit e njëkohësisht edhe e banorëve të tij, të cilët janë mësuar ta shikojnë çdo ditë Avniun e pastrehë, në rrugët e qytetit të tyre.

Avniu, edhe pse nuk ka bukë të hajë, e ndoshta edhe probleme mendore, është një ndër qytetarët më shembullorë të Elbasanit, e ndoshta edhe të gjithë Shqipërisë. Ai nuk përton, por çdo ditë merr një fshesë në dorë dhe pastron rrugët e qytetit që e mban me bukë e që ndonjëherë edhe e përbuz.

“Quhet Avni. Është një i pastrehë, por s’i bie në qafë kujt. Mbi të gjitha jep edhe një shembull të mirë duket pastruar ambientin që ndoshta ndotet nga disa njerëz që e mbajnë veten për më shumë qytetarë nga ky njeri. Ndodhet pranë spitalit në Elbasan”, - thotë njëri prej banorëve.

Dhe me të vërtetë, Avniu është një shembull i mirë qytetarie.