Jeta Osh Qef

Shoferja shqiptare që i ka rënë Shqipërisë anë e kënd pa një gërvishtje
Nga: A.Shehaj | Publikuar më: 14.01.2017, 01:29

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
40 vjet më parë është nisur nga Himara drejt Durrësit pikërisht në Shkozet ku edhe ka marrë patentën bashkë me 90 femrat e para shofere në Shqipëri. Sot është 65 vjeç dhe nuk e ka fare problem që të marrë timonin sa herë që e do nevoja.

Fijene Arapi është ndër të rrallat femra që edhe pse i ka rënë kryq e tërthor Shqipërisë nuk ka bërë asnjë gërvishtje. E martuar në Cërrik ajo ka fillur me Zis punën e saj të parë si shofere, për të vazhduar më pas me makinën e njohur si Zuk.

Megjithëse në një zonë jo shumë dashamirëse ndaj femrave shofere, Gjena, ashtu siç e  njohin të gjithë, thotë se pavarësisht paragjykimeve ka pasur respektin e burrave, madje dhe ndihmën e tyre. Duke punuar në një zonë si Cërriku, ajo përballej me fjalët e fqinjëve dhe grave të qytetit, por asnjëherë nuk u ndje keq pasi siç thotë edhe vetë punën e mori me shumë qejf dhe iu përkushtua. Demokracia e gjeti shofere të papunë, por nuk u dorëzua.

Ajo nisi tregtinë me bashkëshortin dhe më pas djemtë e saj, punë me të cilën merret edhe sot. Përgatitet të rinovojë patentën, ka ndërruar vetë gomat dhe riparuar defekte të vogla dhe thotë se kënaqet kur sheh femra në timon, pasi sipas saj janë më shumë të kujdesshme se meshkujt, vetëm i duhet të bëjnë sa më shumë praktikë. Ja një rrëfim i saj për tesheshi.com

Gjena, si vendosët të bëheni shofere dhe si e lidhët jetën me Cërrikun?

Unë jam nga një fshat i Himarës. Babain e kam pasur minator dhe ka shëtitur të gjithë Shqipërinë në atë kohë. Ka qenë liberal. Ne kishim një instruktor nga fshati dhe ai një herë na tha se kush dëshironte të vazhdonte kursin për shofere. Babai im ishte i pari që pranoi që unë të shkoja në këtë kurs. Unë kam qenë në grupin e parë të 90 femrave shofere në ‘75-ën. Ka pasur nga e gjithë Shqipëria por më shumë ishin nga jugu e shumë pak nga veriu. Pasi mbaruam kursin u ktheva në fshat. Burri ishte instruktor trenash në Shkozet ku edhe u njohëm. U fejova dhe u martova këtu në Cërrik.

E patët të vështirë të filloni punë si shofere në atë kohë?

Ishte e vështirë pasi puna e shoferit ishte për  burra. Bashkëshorti im kërkoi për mua dhe më në fund më dhanë punë. Hoqën një shofer  dhe në fakt mua më erdhi keq për këtë, por për të futur një grua duhet të hiqnin një burrë. Kam punuar  fillimisht me Ziz. Të gjithë i kanë parasysh Zisat e dikurshëm pasi ne me atë kishim mësuar makinën. Më pas mora Zukun e komunales ku përcillja të vdekurit dhe shpërndaja drutë në zonën e Cërrikut. Me këtë punë kam vazhduar deri në vitet 90′.

A u përballët me paragjykimet e një zone si Cërriku, jo e zhvilluar mjaftueshëm për të pranuar një femër shofere?

Mesa mbaj mend nuk ka pasur shofere. Di që diku në Llixhë ishte edhe një grua tjetër më pas, por në kohën time nuk kishte femra në timon. Fjalë kishte sa të duash e sidomos nga komshinjtë dhe gratë e Cërrikut. Nuk m’i thonin mua në sy po mbushnin plot Cërrikut. Ndërkohë me meshkujt ka ndodhur e kundërta pasi më kanë respektuar pavarësisht ca grave. Madje edhe më kanë ndihmuar.

A u penduat për zgjedhjen e këtij zanati për kohën?

Atë kisha mbaruar dhe atë punë kisha zgjedhur të bëja. Nuk ishte ndonjë rrogë e madhe por ishte puna që e bëja me shumë përkushtim. Vazhdova në ndërmarrje deri në ‘90-n, por më pas çdo gjë duhet ta filloja nga e para si shumë shqiptarë. Me ardhjen e demokracisë duhet të merresha me një punë dhe bashkë me burrin nisëm tregëtinë. Nga ajo kohë merremi me tregëti dhe unë vazhdoj t’i jap timonit edhe pse djemtë më janë. Kemi 26 vjet që merremi me tregëti duke lëvizur në shumë rrugë të Shqipërisë. Unë madje ndërrimin e gomave dhe difekte të vogla i kam riparuar vetë.

Si i shikon femrat në timon sot?

Në fakt është parë si çudi për shumë vite pasi në Cërrik nuk ka pasur shofere. Tani nuk është më problem. Më pëlqejnë gratë në timon dhe i kam nxitur si vajzat ashtu edhe nusen të marrin patentën. Dikur talleshin madje na quanin dhe femra rrugësh vetëm se ishim shofere ndërsa tani nuk është problem. Femrat për mua janë më të kujdesshme se sa meshkujt. Kam 40 vjet që lëviz dhe nuk kam bërë asnjë përplasje. Edhe në Sarandë kam vajtur, edhe në Lunik të Librazhdit e nuk më ka ndodhur asgjë. Sigurisht që kursi që bëhej atëherë nuk krahasohet me këtë tani. Atëherë ishte kursi shumë i rëndë. Bënim 8 orë praktikë pa pushim çdo ditë në 9 muaj kurs jo vetëm për drejtim makine por edhe për xhenerik. Patentën e mora me të parën./Bardha Nergjoni-tesheshi.com/